
Ndërmjetësimi është procesi në të cilin palët në mosmarrëveshje, me ndihmën e një personi të tretë të paanshëm e të licencuar — ndërmjetësit — arrijnë vetë një zgjidhje të pranueshme për të dyja. Ai rregullohet nga Ligji nr. 10 385, datë 24.2.2011 "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve" dhe mund të përdoret para se të nisë një proces gjyqësor ose edhe gjatë tij.
Pse ndërmjetësimi?
- Kohë: shumë çështje zgjidhen brenda rreth 30 ditëve, ndërsa proceset gjyqësore shpesh zgjasin me vite.
- Kosto: shpenzimet janë disa herë më të ulëta se në një proces gjyqësor.
- Liri zgjedhjeje: palët zgjedhin vetë ndërmjetësin, ndryshe nga gjykata ku trupi gjykues caktohet me short elektronik.
- Të dyja palët dalin fituese: zgjidhja nuk imponohet, por ndërtohet bashkërisht, ndaj konflikti shuhet dhe marrëdhëniet ruhen.
- Konfidencialitet: diskutimet gjatë ndërmjetësimit janë private.
- Fuqi ligjore: marrëveshja e ndërmjetësimit, e homologuar nga gjykata, përbën titull ekzekutiv me të njëjtën fuqi si vendimi gjyqësor.
Çështje tregtare
- Mosmarrëveshje për zmadhimin, zvogëlimin apo rivlerësimin e kapitalit në shoqëritë tregtare.
- Mosmarrëveshje mes ortakëve për kuotat, aksionet apo kontributin e tyre.
- Mosmarrëveshje që lindin ndërmjet dy shoqërive tregtare.
Çështje civile me karakter pasuror
- Cënimi i pronësisë dhe i posedimit.
- Kontratat dypalëshe: shitje, sipërmarrje, qira, sigurim, porosi etj.
- Pjesëtimi i pasurive në bashkëpronësi.
- Shpërblimi i dëmit moral ose material.
Çështje familjare
- Marrëdhëniet personale dhe pasurore të bashkëshortëve dhe mirëqenia e fëmijëve.
- Detyrimi për ushqim, kujdesi, edukimi dhe arsimimi i fëmijëve; takimet e fëmijëve me prindin, gjyshërit dhe të afërmit.
- Ushtrimi i përgjegjësisë prindërore dhe administrimi i pasurisë së fëmijës.
- Pasojat personale e pasurore pas zgjidhjes së martesës dhe e drejta e banimit.
Zgjidhje martese me ndërmjetësim — edhe kur jeni jashtë Shqipërisë
Nëse jeni në prag divorci, por ndodheni jashtë vendit dhe nuk mund të paraqiteni në Shqipëri, ndërmjetësi mund t’ju ndihmojë të rregulloni me marrëveshje zgjidhjen e martesës dhe pasojat e saj (fëmijët, ushqimi, pasuria) pa qenë e nevojshme të paraqiteni personalisht në çdo fazë.
Si zhvillohet procesi?
- Konsulta fillestare — dëgjojmë çështjen dhe ju shpjegojmë mundësitë.
- Ftesa për palën tjetër — ndërmjetësi fton palën tjetër në mënyrë neutrale.
- Seancat e ndërmjetësimit — palët diskutojnë, me ndihmën e ndërmjetësit, deri në një zgjidhje të përbashkët.
- Marrëveshja — hartohet dhe nënshkruhet marrëveshja e ndërmjetësimit.
- Homologimi — kur kërkohet, marrëveshja miratohet nga gjykata dhe merr fuqinë e titullit ekzekutiv.